Il quotidiano albanese KOHA DITORE recensisce il film NUOVO TEATRO IN KOSOVO di Anna Monteverdi
180

“Teatri i ri i Kosovës”, për promovim në skenën ndërkombëtare

9 Mars 2015 – 12:01

Prishtinë, 9 mars – Një vizitë tek kushërira e saj, që drejton Kontingjentin Policor Italian në Kosovë, ishte bërë shkak që më 2012, kritikja e ligjëruesja për teatër, Anna Maria Monteverdi, të hulumtonte skenën teatrore të Kosovës.

Duke qenë eksperte në teatrin bashkëkohor, hulumtuese e autore librash, i kishte rastisur të lexonte për teatrin në Ballkan. E kishte mbajtur mend emrin e dramaturgut kosovar Jeton Neziraj.

“I kisha lexuar të gjitha dramat e tij të jashtëzakonshme, dhe e takova atë në qendrën ‘Multimedia”’ në Prishtinë. Pashë punën që bënte me stafin e tij, artistët, disenjatorët grafikë, regjisorët, aktorët dhe të gjithë ishin shumë profesionalë. Dhe e kuptova se duhej t’i kushtoja vëmendje këtij teatri”, nis rrëfimin Monteverdi, e cila është ligjëruese e historisë së teatrit në Akademinë e Arteve në Lecce dhe për dramaturgjinë e multimedias në akademinë e arteve “Brera” në Milan. Do të kthehej edhe gjashtë herë të tjera në vendin ku ishte befasuar për të mirë. Produkt i vizitave të italianes në Kosovë është “Teatri i ri i Kosovës”.

Dokumentari 26-minutash kishte nisur të xhirohej në nëntor dhe është finalizuar tek tani. I realizuar nën regji të Monteverdit, “Teatri…” vë në fokus punën e qendrës “Multimedia”, duke veçuar procesin e realizimit të shfaqjes “Shembja e Kullës së Ajfelit” të regjisores Blerta Rrustem-Neziraj. Por, nëpërmjet intervistave që ka realizuar autorja, në dokumentar shpalosen të dhëna për teatrin në Kosovë qysh prej viteve ‘90 e deri në ditët e sotme.

Qendra “Multimedia” është themeluar në vitin 2002 në Kosovë, dhe është organizatë e pavarur kulturore e fokusuar në prodhimtari artistike, shkëmbime kulturore ndërkombëtare e publikime nga fusha e artit dhe e kulturës. Fokusi kryesor i saj qëndron në dramaturgjinë dhe teatrin bashkëkohor.

Në një bisedë për “Kohën Ditore”, Monteverdi rrëfen sesi rrugëtimi i saj gjatë eksplorimit të jetës teatrore në Kosovë kishte qenë i mbushur me surpriza.

“Erdha për ta parë premierën e shfaqjes ‘Një fluturim mbi teatrin e Kosovës’, dhe u befasova për të mirë kur e pashë se Teatri Kombëtar ishte i mbushur krejtësisht”, thotë Monrteverdi, tek shpjegon se në Evropë gjërat përgjithësisht janë pak më ndryshe.

“Duhet ta dini se në një Evropë të civilizuar Perëndimore tani teatri është aktivitet vetëm për disa grupe intelektualësh dhe rrallëherë teatrot realizojnë performanca të autorët bashkëkohorë që janë ende gjallë”, shton ajo.

Sipas Moteverdit, në Itali ka shumë kureshtje për kulturën e gjuhën shqipe, duke qenë se komuniteti shqiptar në këtë vend është goxha i madh dhe mirë i integruar.

copertina_dvd-01

“Në disa qytete të Italisë, në jug, ka projekte kulturore e teatrore midis Italisë e Shqipërisë, për shembull në Kalabri. Një kompani teatri në “Lecce”, e quajtur “Koreja”, po ashtu punon me aktorë e muzikantë shqiptarë, dhe së fundi vepra e tyre artistike është përzgjedhur për t’u prezantuar në Bienalen e Venecias”, shpjegon Monteverdi -eksperte e performancave digjitale dhe autore e librave “New Media, New Theatre”(2011), “Multimedia Arts”(2004).

Gjatë dy vjetëve të fundit, ajo thotë se ishte përpjekur të bindte italianët që merren me kulturë të vijnë në Kosovë dhe të zbulojnë kreativitetin e potencialin artistik në teatrot e reja.

“Në prill të vitit të kaluar erdha këtu me Peter Valentin, një prej regjisorëve më të rëndësishëm të rrjetit të teatri në Itali, ‘Emila Romagna Theatres’ me seli në Bolonja”, shpjegon Monteverdi, tek shton se prej asaj vizite Valentin kishte vendosur që shfaqjen “Fluturimi mbi teatrin e Kosovës” të regjisores Blerta Rrustemi-Neziraj ta merrte në festivalin “VIE Festival of Modena”.

E për të promovuar shfaqjet teatrore që bazohen në dramat e Jeton Nezirajt ajo kishte nevojë të reflektonte në kuptimin, motivimin, rrënjët e referencat kulturore të tyre.

“Kështu që vendosa të kthehem në Kosovë për të punuar në shfaqjen e re ‘Shembja e Kullës së Ajfelit’. Dhe pastaj vendosa të prodhoj një film dokumentar”, shpjegon ajo. Shfaqja me tekst të Jeton Nezirajt e realizuar nën regji të Blerta Rrustemi-Nezirajt ishte dhënë premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës në dhjetor të 2013-s. Shfaqja vë në skenë stereotipat, paragjykimet e fanatizmin fetar në shoqëritë demokratike të Evropës.

Kur e kishte parë shfaqjen, Monteverdi kishte vendosur ta realizonte dokumentarin. Siç thotë ajo, kishte dashur të përcillte sensin e befasisë së këndshme që kishte gjetur në këtë pjesë të Evropës.

annjetton-e1414320569216-692x300

“Për një teatër të guximshëm që flet për çështjet bashkëkohore (siç janë terrorizmi dhe religjioni), e që jam e sigurt se do ta avancojë më shumë dialogun mes serbëve e kosovarëve sesa negociatat në Bruksel, ose nëpërmjet qeverive”, thotë ajo, tek shton se ndihet me fat që ishte dëshmitare e procesit të realizimit të “Shembja e kullës së Ajfelit”.

“Dhe vendosa se duhej t’i tregoja publikut italian, por gjithashtu edhe Evropës Perëndimor më shumë për këtë shfaqje, (filmi është me titra anglisht dhe frëngjisht) dhe për rolin e rëndësishëm që mund të luajë kultura në gjeografinë politike”, ka thënë ajo.

Si pikë referimi kishte marrë dramat e Nezirajt, por “Teatri i ri i Kosovës” flet për zhvillimin e teatrit në Kosovë që prej viteve ‘90 e deri në ditët e sotme.

“Këto shpalosen duke intervistuar edhe aktorët e shfaqjes”, thotë ajo.

Bashkëpunëtorë të Monteverdit në këtë dokumentar janë Giancarla Carboni dhe Alessandro Di Naro. Montazhi është bërë nga Luca Sagn me mbikëqyrje të Sara Fgaier në Romë. Dokumentari është produksion i “Regional Media Ligure”.

“Ishte eksperiencë shumë e mirë. Dokumentari nuk është shfaqur ende. Po pres ta shfaq në Itali e më pastaj në Prishtinë”, ka thënë Monteverdi tek ka shtuar se për të realizuar “Teatrin e ri të Kosovës” ka intervistuar Jeton dhe Blerta Nezirajn, kompozitorin Gabriele Marangonin, aktorin Adrian Morina, skenografin francez Clement Peretjako dhe disenjatorin e dritave Nico De Rooij nga Holanda.

Dramaturgu Jeton Neziraj, i cili menaxhon me qendrën “Multimedia”, ka thënë se kritikja e teatrit Anna Maria Monteverdi ka vizituar disa herë Kosovën për të parë nga afër punën që bëhet në këtë qendër.

“Ajo deri tash ka shkruar disa artikuj në revista e gazeta të rëndësishme italiane për shfaqjet tona, si dhe ka edituar edhe botimin në italisht të dramës “Shembja e Kullës së Ajfelit””, ka thënë Neziraj, tek ka shtuar se Monterverdi është një autoritet i rëndësishëm në skenën teatrore në Itali.

“Prandaj jam vërtet i lumtur që asaj i intereson puna jonë. Dhe, falë saj, puna ime si autor teatri dhe e qendrës ‘Multimedia’, në Itali është prezente”, ka thënë Neziraj.

Por, sipas tij, “Teatri i ri i Kosovës” nuk promovon vetëm punën e “Multimedias”.

“Ky dokumentar është një hap i vogël, por i rëndësishëm për promovimin ndërkombëtar të teatrit kosovar”, ka thënë ai.

E Monteverdi, e cila ka shkruar ese për performanca digjitale, instalacione interaktive të autorëve si William Kentridge, Motus, Bob Ëilson, Heiner Goebbels, etj., nuk e ka ndërmend të ndalet.

“Kam shumë plane e projekte për vitin e ardhshëm që lidhen me Kosovën”, thotë ajo.

© KOHA Ditore